Përmbyllet edicioni i pestë i Shkollës për Aktivizëm

Pas gjashtë javësh intensive të mësimit teorik dhe praktik mbi parimet, proceset dhe praktikat më të mira për funksionimin e organizatave të shoqërisë civile, sot u përmbyll edicioni i pestë i Shkollës për Aktivizëm.

Ky edicion u përmbyll me modulin e gjashtë dhe të fundit, “Avokimi pjesëmarrës”, pas trajtimit të qeverisjes së brendshme, mobilizimit të komunitetit, matjes së ndikimit, diversifikimit të burimeve financiare dhe integrimit gjinor, duke e lidhur gjithë procesin e mësimit me veprimin qytetar dhe pjesëmarrjen në vendimmarrje.

Gjatë sesioneve të udhëhequra nga z. Drilon Shala, ekspert në fushën e qeverisjes, llogaridhënies publike, monitorimit dhe vlerësimit, u shtjellua demokracia pjesëmarrëse, koncepti i avokimit pjesëmarrës, përfshirja e komunitetit në punën e OShC-ve, cikli i politikëbërjes dhe roli që qytetarët mund të kenë në secilën fazë të vendimmarrjes.

Përmes diskutimeve dhe ushtrimeve praktike, pjesëmarrësit/et analizuan probleme konkrete të komunitetit dhe reflektuan mbi hapat për adresimin e tyre në mënyrë të organizuar dhe pjesëmarrëse, duke u ndalur edhe te mekanizmat formalë të pjesëmarrjes qytetare në nivel lokal dhe qendror, si konsultimet publike, dëgjimet buxhetore, peticionet, iniciativat qytetare dhe qasja në dokumente publike.

Kurse në sesionin e udhëhequr nga z. Besmir Radoniqi, hulumtues në KCSF, pjesëmarrësit/et u njohën nga afër me Platformën Online për Konsultim Publik, mënyrën se si funksionon ajo dhe format më të mira për të dhënë komente, rekomandime dhe kontribute në proceset e hartimit të politikave.

Në përmbyllje të edicionit të pestë të Shkollës për Aktivizëm, pjesëmarrësit/et u njoftuan edhe me mundësinë e mentorimit pas Shkollës për Aktivizëm, si hap i radhës për t’i mbështetur organizatat në zbatimin praktik të njohurive dhe qasjeve të zhvilluara gjatë gjashtë moduleve.

Shkolla për Aktivizëm organizohet në kuadër të Qendrës së Burimeve për Shoqërinë Civile në Kosovë.

Ky aktivitet bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian dhe Suedia. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe Community Building Mitrovica (CBM) dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian ose të Suedisë.