Fillon edicioni i pestë i Shkollës për Aktivizëm

Shkolla për Aktivizëm nisi edicionin e pestë, duke bërë bashkë 20 organizata të shoqërisë civile të Kosovës në një rrugëtim të përbashkët të mësimit, ndarjes së përvojave dhe fuqizimit organizativ.

Roli i shoqërisë civile është i domosdoshëm për një shoqëri demokratike, llogaridhënëse dhe gjithëpërfshirëse. Përmes angazhimit të saj, shoqëria civile përfaqëson interesin publik, nxit pjesëmarrjen qytetare dhe mban institucionet përgjegjëse. Për ta përmbushur këtë rol në mënyrë efektive, OJQ-të kanë nevojë për struktura të qëndrueshme, vendimmarrje të përgjegjshme dhe mekanizma të brendshëm që forcojnë besimin e publikut.

Në këtë frymë, Shkolla për Aktivizëm ofron një hapësirë ku përvoja praktike lidhet me njohuritë profesionale, ku sfidat e përditshme të punës diskutohen hapur dhe ku pjesëmarrësit zhvillojnë kapacitetet e tyre, duke i ndihmuar organizatat ku punojnë të jenë më të qëndrueshme, më llogaridhënëse dhe më efektive në shërbim të komuniteteve që përfaqësojnë.

Edicioni i pestë përbëhet nga gjashtë module tematike, ndërsa përgjatë dy ditëve të fundit filluam rrugëtimin me Modulin 1: Qeverisja e brendshme për OShC-të.

Ky sesion u ligjërua nga drejtori ekzekutiv i KCSF-së z. Dren Puka, duke trajtuar disa prej çështjeve më të rëndësishme për funksionimin e çdo organizate e që lidhen me atë se: si merret vendimi, kush mban përgjegjësi, si ndahet roli mes qeverisjes dhe menaxhimit, dhe si ndërtohen mekanizma që e mbajnë organizatën të orientuar drejt misionit të saj.

Përmes ligjëratës, diskutimeve dhe shembujve praktikë, pjesëmarrësit reflektuan mbi mënyrën se si organizatat mund të ndërtojnë sisteme më të qarta të vendimmarrjes, mbikëqyrjes dhe llogaridhënies. Po ashtu kuptuan në thelb se zhvillimi organizativ nuk është proces i njëhershëm, por është një punë e vazhdueshme që kërkon reflektim, përshtatje dhe vendime të përgjegjshme.

Ndërkaq eksperti ligjor, z. Florent Spahija, trajtoi çështjen e parandalimit të konfliktit të interesit, duke diskutuar dallimin mes interesit privat dhe atij publik/organizativ, rreziqet që mund të shfaqen në punësim, prokurim apo zbatim të programeve, si dhe rëndësinë e rregullave të qarta, vetëvlerësimit dhe mekanizmave të brendshëm të kontrollit️.

Shkolla për Aktivizëm organizohet në kuadër të Qendrës së Burimeve për Shoqërinë Civile.

Ky aktivitet bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian dhe Suedia. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe Community Building Mitrovica (CBM) dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian ose të Suedisë.