“Avokimi pjesëmarrës”, modul që ndihmon organizatat për pjesëmarrje aktive në politikbërje

Avokimi pjesëmarrës është një qasje gjithëpërfshirëse që ka për qëllim ndikimin në politikat publike dhe vendimmarrje, duke përfshirë drejtpërdrejt qytetarët dhe komunitetet në çdo hap të procesit. Përmes avokimit pjesëmarrës, qytetarët nuk përfaqësohen thjesht nga të tjerët, por fuqizohen që të bashkëkrijojnë agjenda, të marrin pjesë në konsultime dhe t’i mbajnë përgjegjës vendimmarrësit. Ky proces jo vetëm që rrit transparencën, por forcon demokracinë dhe krijon zgjidhje të cilat pasqyrojnë nevojat reale të komuniteteve.


Për këtë arsye, Shkolla për Aktivizëm e ka të përfshirë në kurrikulën e saj modulin “Avokimi pjesëmarrës”, i cili është moduli i pestë me radhë në kuadër të shkollës, dhe i dedikohet OShC-ve dhe nismave që synojnë të rrisin kapacitetet e tyre për të marrë pjesë aktivisht në proceset e politikëbërjes, duke ndërtuar ura bashkëpunimi mes shoqërisë civile dhe institucioneve.

Përgjatë dy ditëve të trajnimit, 20 pjesëmarrës/e fituan njohuri dhe përvojë praktike mbi:

▪️ Demokracinë dhe avokimin pjesëmarrës, nga angazhimi individual tek veprimi kolektiv;

▪️ Ciklin e politikëbërjes;

▪️ Rolin e qytetarëve në proceset e politikëbëjes dhe vendimmarrjes;

▪️  Platformën Online për Konsultim Publik;

▪️ Rolin e OShC-ve në procesin e Integrimit Europian.

Ligjëruesit e këtij moduli ishin z.Rinor Beka, ekspert me përvojë të gjatë në implementimin e programeve në fushën e demokracisë dhe qeverisjes dhe z.Dren Puka, drejtor ekzekutiv i KCSF-së me përvojë të gjatë në hulumtim, avokim dhe zhvillim të politikave publike pjesëmarrëse.

Ky aktivitet është organizuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Suedisë. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe Community Building Mitrovica (CBM) dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian apo Suedisë.