THIRRJE PËR APLIKIM: SHKOLLA PËR AKTIVIZËM 2025

THIRRJE PËR APLIKIM PËR ORGANIZATAT E SHOQËRISË CIVILE

SHKOLLA PËR AKTIVIZËM 2025

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe Community Building Mitrovica (CBM) ftojnë të gjitha organizatat e shoqërisë civile të aplikojnë në edicionin e katërt të Shkollës për Aktivizëm, një program edukativ i krijuar në kuadër të Qendrës së Burimeve për Shoqërinë Civile për të fuqizuar dhe rritur ndikimin e organizatave të shoqërisë civile (OShC) në vend.

PËRSHKRIMI I PROGRAMIT:

Shkolla për Aktivizëm (Shkolla) është një hapësirë për edukim profesional, rritje të kompetencës së safit të OShC-ve, dhe fuqizim të organizatës për angazhim më sistematik, duke synuar përfshirjen sa më të madhe të qytetarëve dhe qytetareve, dhe ndikimin në në proceset politikëbërëse përmes avokimit pjesëmarrës.

Shkolla ofrohet çdo vit për 20 OShC-të e përzgjedhura dhe përfshin 6 module të trajnimit, secili me kohëzgjatje dy ditë. Këto module janë vlerësuar si tema dhe njohuri thelbësore për zhvillimin e organizatave dhe rritjen e ndikimit të tyre përmes punës që ato e bëjnë (shih më poshtë modulet e listuara).

Në edicionet paraprake të Shkollës janë trajnuar rreth 300 anëtarë të stafit, nga 60 OShC anëembanë Kosovës, me një shpërndarje të gjerë gjeografike, sektoriale dhe përfaqësimi gjinor, përgjatë tre edicioneve të mëparshme.

OShC-të që e përfundojnë me sukses Shkollën do të kenë mundësinë të përfitojnë mentorim nga ekspertë të fushave të ndryshme, me synim zhvillimin e mëtejmë profesional dhe mbështetjen në zbatimin e strategjive dhe objektivave afatgjata të organizatës së tyre. Po ashtu, ato do të përfshihen në rrjete tematike dhe sektoriale të organizatave të shoqërisë civile, të cilat do të organizohen dhe mbështeten nga KCSF, duke mundësuar bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave mes akterëve të ndryshëm të shoqërisë civile në Kosovë.

Të gjitha trajnimet dhe mentorimi ofrohen pa pagesë për organizatat e përzgjedhura. Poashtu, për pjesëmarrësit/et nga jashtë Prishtinës do të bëhet edhe kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit.

ÇFARË OFRON PROGRAMI?

Programi i Shkollës ofron mbështetje të specializuar për zhvillimin e organizatave të shoqërisë civile, duke ndihmuar në forcimin e kapaciteteve të tyre në fusha kyçe. Programi i  edicionit të katërt është i strukturuar në gjashtë module, secili me fokus të thelluar në:

  • Moduli 1: Qeverisja e brendshme për OShC-të
  • Moduli 2: Integrimi gjinor
  • Moduli 3: Vlerësimi i ndikimit dhe ngritja e fondeve
  • Moduli 4: Diversifikimi i burimeve financiare
  • Moduli 5: Avokimi pjesëmarrës
  • Moduli 6: Teknikat e mobilizimit të komunitetit

ÇFARË DO TË PËRFITOJNË PJESËMARRËSIT:

Me pjesëmarrje të OShC-vë në Shkollë, secila OShC pjesëmarrëse do të jetë në gjendje:

  • -Të kuptojë më mirë organizimin, qeverisjen e brendshme të organizatës;
  • -Të hartojë një strategji apo plan të qartë të aktivitetit për realizim të qëllimeve të organizatës;
  • -Të përfshijë integrimin gjinor në kuadër të aktiviteteve të brendshme dhe me palë të jashtë organizatës;
  • -Të krijojë strategji më të mirë për ngritjen e fondeve, planifikimin dhe zbatimin e projektit;
  • -Të marrë pjesë në proceset e vendimmarrjes, në nivel lokal dhe qendror, me njohuri më të mira të metodave të avokimit pjesëmarrës;
  • -Të kuptojë më mirë dhe të jetë më kompetente në aplikimin e teknikave të mobilizimit të komunitetit;

Përgjatë pjesëmarrjes në Shkollë, dhe pas përfundimit të Shkollës pjesëmarrësit do të kenë mundësi që të përfitojnë:

  • -Mentorim dhe këshillim të vazhdueshëm nga ekspertë për adresim dhe avancim të çështjeve specifike të organizatës;
  • -Rrjetëzim dhe bashkëpunim me organizata tjera të shoqërisë civile për angazhim të përbashkët në nisma avokuese, adresim të nevojave të komunitetit, etj.

MËNYRA E APLIKIMIT:

Të drejtë aplikimi kanë të gjitha organizatat e shoqërisë civile që janë të regjistruara apo veprojnë në Kosovë. Secila OShC duhet të propozojë 2 deri në 6 anëtarë të stafit bazuar në përgjegjësitë e tyre brenda organizatës  për të marrë pjesë në modulet e Shkollës.

KRITERET E PËRZGJEDHJES:

  • -Është Organizatë e Shoqërisë Civile, e regjistruar në Kosovë;
  • -Ka si synim dhe interesim përfshirjen e qytetarëve/eve në punën e organizatës;
  • -Aplikacioni është i plotësuar tërësisht, dhe ofron përgjigje të plota për të gjitha pyetjet;
  • -Organizata ka propozuar një ekip prej 2 deri në 6 anëtarë të stafit të angazhuar në fushat përkatëse;
  • -Pjesëmarrja në Shkollë është e lidhur me objektivat strategjike të organizatës dhe  kontribuon në realizimin e tyre;
  • -Organizata paraqet qartë se si përfshirja në program do të kontribuojë në angazhimin e organizatës për përfshirjen e komunitetit në misionin e saj;
  • -Organizata tregon se ka vullnet për zhvillim të kapaciteteve, bazuar në nevojat e identifikuara.

Vetëm OShC-të e përzgjedhura do të kontaktohen përmes e-mailit. Qendra e Burimeve të Shoqërise Civile, në bashkëpunim të ngushtë me OShC-të e përzgjedhura do të bëjë edhe caktimin e anëtarëve pjesëmarrës në secilin modul.

Pas përfundimit të Shkollës, secili pjesëmarrës do të pajiset me certifikatë të pjesëmarrjes.

DORËZIMI I APLIKACIONEVE:

OShC-të e interesuara duhet të plotësojnë aplikacionin duke klikuar këtu.

Do të merren parasysh vetëm aplikacionet që përmbushin të gjitha kërkesat e specifikuara në këtë thirrje dhe formular të aplikimit.

Afati i fundit për aplikim është 22 qershor 2025, ora 23:59.

Të gjitha pyetjet ose informata shtesë që keni në lidhje me Shkollën ose me procesin e aplikimit mund t’i dërgoni përmes postës elektronike në rc-kosovo@kcsfoundation.org.

Ky aktivitet është organizuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Suedisë. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe Community Building Mitrovica (CBM) dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian apo Suedisë.