THIRRJE PËR APLIKIM PËR OJQ ME QARKULLIM VJETOR NËN 50,000 EUR: MBËSHTETJE ME SHËRBIME TË AUDITIMIT TË JASHTËM FINANCIAR

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) fton organizatat jo-qeveritare në Kosovë të aplikojnë për programin e mbështetjes me shërbime auditimi. Programi ka për qëllim fuqizimin e OJQ-ve për të rritur nivelin e menaxhimit, rregullsisë dhe transparencës financiare, duke siguruar auditimin e llogarive dhe pasqyrave të tyre financiare vjetore, në pajtueshmëri me standardet ndërkombëtare të auditimit dhe nga kompanitë e licensuara të auditimit financiar.

Kjo thirrje synon organizata të shoqërisë civile të cilat nuk kanë kapacitete financiare për ta paguar një auditim të jashtëm financiar vjetor, por që janë të gatshme që ta kalojnë një proces të tillë me qëllim të rritjes së nivelit të menaxhimit financiar, përmirësimit të transparencës dhe besueshmërisë nga publiku, komuniteti, donatorët dhe partnerët.

KRITERET E KUALIFIKUESHMËRISË

Kjo thirrje është e hapur për organizatat e vogla dhe të mesme të shoqërisë civile në Kosovë, që plotësojnë këto kritere:

  • Të jetë organizatë joqeveritare e regjistruar në Kosovë;
  • Të ketë qarkullim vjetor të organizatës jo më të lartë se 50,000.00 EUR për vitin 2024;
  • Të mos ketë pasur auditim të jashtëm financiar të paktën gjatë 3 viteve të fundit (për pasqyrat financiare të 2023, 2022, 2021);
  • Të dëshmojë nevojën për auditim të jashtëm financiar si pjesë e zhvillimit organizativ;
  • Të dëshmojë kapacitete bazike të menaxhimit financiar dhe dokumentimit të operacioneve financiare të mjaftueshëm për të mundësuar procesin e auditimit të jashtëm financiar;
  • Të tregojë gatishmëri për të adresuar çdo gjetje të auditimit dhe për të forcuar kontrollin dhe praktikat e menaxhimit të brendshëm financiar;
  • Të jetë e gatshme t’i lejojë kompanisë audituese qasje në zyrat e saj dhe në të gjitha të dhënat, informacionet dhe dokumentet e nevojshme për të siguruar dëshmitë e nevojshme të auditimit.

Të gjitha aplikimet do të shqyrtohen individualisht dhe do të vlerësohen nga Komisioni Vlerësues, bazuar kriteret e lartëshënuara.

PËRJASHTIMET

  • Përkundër statusit të tyre juridik, kjo thirrje nuk synon:
    • OJQ-të e mëdha me qarkullim vjetor të organizatës më të lartë se 50,000.00 EUR për vitin 2024.
    • Klubet sportive, federatat sportive, shoqatat kulturore amatore ose organizatat fetare, që janë të regjistruara si OJQ.
    • OJQ-të që përfaqësojnë biznese ose subjekte të ngjashme për të cilat është e qartë që kanë aftësi financiare për të mbuluar shpenzimet e organizatës së tyre ose për të përkrahur aktivitetet e tyre, përfshirë auditimet e jashtme financiare.
    • Degët e OJQ-ve të huaja dhe ndërkombëtare të regjistruara në Kosovë.

PËRFITIMET PËR OJQ-TË E PËRZGJEDHURA

Organizatat e përzgjedhura do të përfitojnë:

  • Mbulimin e shpenzimeve të shërbimit të auditimit të jashtëm financiar për vitin 2024, nga kompania e certifikuar e auditimit e kontraktuar nga KCSF.
  • Auditimi i jashtëm do të mbulojë përshtatshmërinë e operacioneve kontabël dhe financiare dhe sistemeve të raportimit, përfshirë kontrollin e buxhetit, menaxhimin e parave të gatshme, autoritetin certifikues dhe miratues, pranimin e fondeve dhe disbursimin e tyre, regjistrimin e të gjitha transaksioneve financiare në raportet e shpenzimeve, mirëmbajtjen dhe kontrollin e të dhënave, në pajtueshmëri me standardet ndërkombëtare të auditimit (ISA 700).
  • Konsultime, përfshirë sipas nevojës qasje në trajnime dhe sesione këshillimi, për të adresuar gjetjet e auditimit dhe për të përmirësuar sistemet e menaxhimit financiar.

PROCEDURA E APLIKIMIT

Për të aplikuar, ju lutem plotësoni formularin e aplikimit dhe ndiqni me kujdes secilin udhëzim dhe të përgjigjeni në secilën pyetje.

Brenda formularit të aplikimit duhet të ngarkoni këto dokumente:

  1. Certifikatën e regjistrimit të OJQ-së lëshuar nga Departamenti për OJQ.
  2. Deklaratën/raportin financiar për vitin 2024 ose dokumente tjera përkatëse financiare që dëshmojnë qarkullimin vjetor të OJQ-së për vitin 2024.

AFATI PËR APLIKIM DHE ZBATIM TË MBËSHTETJES

Aplikimi do të jetë i hapur deri më 12 shkurt 2025, ora 23:59.

Aplikantët do të njoftohen rreth vendimit të Komisionit Vlerësues gjatë muajit shkurt. KCSF synon që t’i përzgjedhë deri në 5 OJQ përfituese përmes kësaj thirrje.

Auditimi i OJQ-ve përfituese pritet të realizohet gjatë periudhës shkurt-mars 2025.

Në rast se hasni vështirësi ose keni nevojë për sqarime shtesë lidhur me aplikimin, ju lutemi ndjehuni të lirë të na kontaktoni përmes adresës elektronike rc-kosovo@kcsfoundation.org ose numrit të telefonit: 038 600 634.