Thirrje për aplikim: Trajnimi i trajnerëve për Akademinë për Udhëheqësi në Komunitet

Për ta transformuar përfaqësimin dhe pjesëmarrjen nëpër komunitetet tona, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), në kuadër të Programit për Angazhim Qytetar të cilin e zbaton në partneritet me misionin e USAID në Kosovë, ka filluar një nismë në mbarë vendin, përmes së cilës po zgjerohet aktivizmi komunitar. Kjo nismë, e quajtur Akademia për Udhëheqësi në Komunitet, synon të përgatitë rreth 200 të reja dhe të rinj të moshës 18-24 vjeçar/e për organizim dhe avokim efektiv për ndryshime pozitive në komunitetet e tyre.

Për këtë qëllim, KCSF-ja në bashkëpunim me Street Law gjatë dy (2) ditëve do të organizojë Trajnimin e Trajnerëve (TeT) të Akademisë për Udhëheqësi në Komunitet. Ky trajnim ka për qëllim të mbledhë aktivistë dhe individë me përvojë në shoqëri civile dhe qytetari aktive, me qëllim që ata/o të kuptojnë kurrikulën e Akademisë, dhe që të krijohet një grup i trajnerëve të certifikuar për sesionet e kësaj Akademie që do të mbahen në gjuhën serbe.

Kur mbahet trajnimi?
Gjatë muajit nëntor 2024.

Çfarë do të mësoni në këtë trajnim?
Trajnimi përfshinë një punëtori dy-ditore që synon ngritjen e aftësive të pjesëmarrësve për ligjërimin e moduleve të Akademisë për Udhëheqësi në Komunitet.

Trajnimi do të familjarizojë pjesëmarrësit me qëllimin e Akademisë, kurrikulën e saj dhe metodologjinë interaktive të trajnimit. Pas trajnimit, pjesëmarrësit që përfundojnë TeT do të angazhohen si trajnerë për dy (2) edicionet e Akademisë për Udhëheqësi në Komunitet në katër vitet e ardhshme.

Në fund të trajnimit, pjesëmarrësit dhe pjesëmarrëset duhet të jenë në gjendje të:
– Artikulojnë rezultatet, qëllimet dhe strukturën e kurrikulës së Akademisë për Udhëheqësi në Komunitet;
– Përshkruajnë rolet dhe përgjegjësitë bazike të trajnerëve të Akademisë për Udhëheqësi në Komunitet;
– Shfrytëzojnë në mënyrë efektive teknikat interaktive të mësimdhënies të metodologjisë së Akademisë për Udhëheqësi në Komunitet, dhe praktikave më të mira të udhëheqjes së sesioneve;
– Të planifikojnë në mënyrë efektive modulet individuale dhe t’i udhëheqin suksesshëm ato.

Kush mund të aplikojë dhe cilat janë kriteret e aplikimit?
Personat me përvojë dhe interesim për organizimin e shoqërisë civile dhe aktivizimin në komunitet. Përvojat e mëhershme në moderim dhe ligjërim përgjatë diskutimeve në grup janë të preferueshme. Ne inkurajojmë gjithpërfshirje nga aspekti i gjinisë, etnisë, përfaqësimit gjeografik nga të gjitha rajonet e Kosovës.

Kandidatët dhe kandidatet për trajnerë/e duhet:
– Të jenë në dispozicion dhe të përkushtuar për t’u angazhuar si trajnerë/e/ lehtësues/e në edicionet e ardhshme të Akademisë për Udhëheqësi në Komunitet, të cilat do të mbahen në gjuhën serbe;
– Të kenë përvojë dhe interesim për zhvillimet e shoqërisë civile dhe aktivizëm në komunitet, pjesëmarrje të të rinjve, avancim të demokracisë, të drejtat e njeriut, dhe sundim të ligjit;
– Të kenë njohuri të mira të kontekstit social, politik dhe kulturor të Kosovës;
– Të kenë përvojë në organizimin dhe mbajtjen e trajnimeve apo programeve të edukimit joformal;
– Të kenë aftësi të mira për moderim, komunikim dhe prezantim;
– Të kenë diplomë në nivelin bachelor;
– Të mos jenë të angazhuar në ndonjë parti politike në katër vitet e fundit.

Angazhimi i trajnerëve dhe trajnereve në module të Akademisë është angazhim me pagesë. Pjesëmarrësit të cilët/cilat certifikohen në TeT do të bëhen pjesë e grupit të trajnerëve dhe trajnereve për t’u angazhuar në edicionet e ardhshme të Akademisë për Udhëheqësi në Komunitet për periudhën 2025-2026.

Si të aplikoni?
Për të marrë pjesë në Trajnimin për Trajnerë të Akademisë për Udhëheqësi në Komunitet, të interesuarit duhet të plotësojnë këtë formë të aplikimit: https://www.surveymonkey.com/r/HQFHBXY

Keni parasysh që në formë të aplikimit duhet ngarkuar:
(1) CV-në e detajuar, me fokus në përvojën relevante për temat përkatëse; dhe
(2) dëshmi të përvojave të ngjashme (nëse keni).

Formulari i aplikimit mund të plotësohet në gjuhën serbe, shqipe ose angleze.

Afati i fundit për aplikim është 27 tetor 2024.

Informata logjistike:
Për informata shtesë ose sqarime të mëtejshme, ju lutemi të mos hezitoni të kontaktoni naim.robelli@kcsfoundation.org.