Thirrje për aplikim në trajnim”Qeverisja e Brendshme e OShC-ve dhe Menaxhimi Financiar”

Qendra e Burimeve për Shoqëri Civile në Kosovë organizon trajnimin e radhës mbi “Qeverisja e Brendshme e OShC-ve dhe Menaxhimi Financiar”.

Objektivi kryesor i këtij trajnimi është të zhvillojë aftësitë kyçe dhe të nevojshme për të siguruar qeverisje të brendshme efektive dhe menaxhim të qëndrueshëm financiar për përfaqësuesit e Organizatave të shoqërisë civile (OshC). Trajnimi do të përqendrohet në parimet e qeverisjes së mirë, strukturat organizative, si dhe përdorimin e dokumenteve, sistemeve dhe procedurave si baza për një qeverisje efektive. Po ashtu, do të trajtohen praktikat më të mira për menaxhimin, buxhetimin, kontabilitetin, raportimin financiar, si dhe pajtueshmërinë me kërkesat ligjore dhe tatimore. Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të thellojnë njohuritë e tyre në administrimin efektiv të resurseve dhe të përmirësojnë qëndrueshmërinë dhe besueshmërinë e organizatave të tyre në sytë e donatorëve dhe partnerëve.

Kur mbahet trajnimi?

Datat: 18 dhe 19 shtator 2024, Prishtinë

Çfarë do të mësoni në këtë trajnim?

Ky trajnim, ndër të tjera do të fokusohet në adresimin e çështjeve të lidhura me:

  • Parimet e qeverisjes së mirë;
  • Strukturat e qeverisjes së brendshme dhe rolet e tyre;
  • Dallimin në mes konceptit të qeverisjes dhe menaxhimit;
  • Marrëdhëniet ndërmjet organeve jo-ekzekutive dhe ekzekutive;
  • Ciklin e jetës së organizatës;
  • Dokumentet, sistemet dhe procedurat e organizatës si baza për një qeverisje të mirë;
  • Bazat e menaxhimit financiar;
  • Metodat e kontabilitetit për organizatat joqeveritare;
  • Rolin e personelit në menaxhimin financiar;
  • Buxhetimin për organizatat joqeveritare;
  • Kontabilitetin dhe raportimin financiar për organizatat joqeveritare dhe ligjet e aplikueshme dhe tatimet.

Për kë është i përshtatshëm ky trajnim?

Trajnimi është i përshtatshëm për:

  • Drejtueset/it e Organizatave të Shoqërisë Civile (OShC):
  • Anëtaret/ët e Bordit apo Kuvendeve të OShC-ve:
  • Zyrtaret/ët financiar të OShC-ve:
  • Koordinatoret/ët e Projekteve të OShC-ve.

Kush mund të aplikojë dhe cilat janë kriteret e aplikimit?

Të drejtë aplikimi kanë organizatat e shoqërisë civile, të cilat kanë interesim për të mësuar rreth qeverisjes së brendshme dhe menaxhimit financiar.

Secila OShC duhet të propozojë 1 anëtar/e për të marrë pjesë në trajnim bazuar në përgjegjësitë e tyre brenda organizatës.

Kriteret e aplikimit:

  • Të jetë Organizatë e Shoqërisë Civile (OShC), e regjistruar në Kosovë;
  • Veprimtaria e OShC-së të përfshijë edhe punën në nivel lokal;
  • Të kenë aktivitet në komunitet dhe/ose interesim për përfshirje të qytetarëve/eve në punën e organizatës.

Si të aplikoni?

Për të marrë pjesë në trajnim, ju ftojmë të regjistroheni përmes formës së aplikimit, të cilën mund ta gjeni duke klikuar në vegëzën në vijim: Formulari i aplikimit.

Ju lusim që formularin e aplikimit ta plotësoni më së largu deri me datën 12 shtator 2024, ora 14:00.

Për informata tjera, ju lutem kontaktoni ekipin tonë në adresën elektronike rc-kosovo@kcsfoundation.org ose përmes telefonit në numrin: 038 600 634.