Pas mbylljes së afatit të aplikimit për Grante Institucionale në programin EJA Kosovë, janë pranuar aplikacionet nga 67 organizata të shoqërisë civile. Pas përfundimit të të gjitha fazave të kontrollit administrativ mbi përmbushjen e kritereve bazë të kualifikueshmërisë dhe dokumentacionit të plotë të dorëzuar, 59 prej tyre kanë vazhduar në fazën tjetër të vlerësimit. Nëpërmjet kësaj thirrje, KCSF planifikon t’i ndajë rreth 960,000 euro për grante dy ose tre vjeçare në vlerë maksimale prej 40,000 euro për vit.
Vlerësimi përmbajtjesor do të bëhet nga pesë anëtarët e Ekipit për Vlerësimin e Granteve, të cilët tashmë janë përzgjedhur me short nga lista publike e vlerësueseve të jashtëm të programit EJA Kosovë, e qasshme në webfaqen e KCSF-së. Kjo fazë përfshinë vlerësimin e strategjive dhe dokumenteve tjera të organizatave aplikuese, vizitën në zyrë nga stafi i KCSF-së, si dhe intervistat publike për organizatat e listës së ngushtë. Në fund të procesit, Ekipi për Vlerësimin e Granteve do t’i rekomandojë për financim deri në 8 organizata me më së shumti pikë, me kushtin që të paktën 30% e tyre të jenë nga jashtë Prishtinës. Pas përfundimit të procesit të vetos nga donatorët e programit EJA Kosovë, KCSF do t’i ftojë organizatat e përzgjedhura për t’i nënshkruar kontratat e financimit.
Thirrja e radhës për Grante Institucionale e programit EJA Kosovë pritet të shpallet në fillim të vitit 2025. Gjatë vitit 2024 tashmë janë hapur thirrjet për Grante Urgjente, Grante të Vogla për Projekte, Përkrahje për përfaqësim ndërkombëtar dhe Përkrahje për rrjetëzim ndërkombëtar, ndërsa deri në fund të vitit do të hapet edhe thirrja për Grante për Zhvillim Organizativ.