Programi i granteve për shoqëri civile nga Zvirca DSP 2011 – 2018

PROMOVIMI I SHOQËRISË DEMOKRATIKE (DSP)

Gjatë viteve 2011 – 2014, e pastaj edhe 2014 – 2018, DSP I dhe DSP II kanë përkrahur projekte që ndikojnë në shoqëri, si dhe ka ofruar përkrahje institucionale për organizata të cilat i përcjellin sistematikisht dhe nxisin këto ndryshime. DSP ka pasur për synim të arrijë ndryshime pozitive në nivelin lokal dhe atë qendror.

Qëllimi i përgjithshëm i DSP – së ishte ta përkrahë zhvillimin e një shoqërie demokratike në Kosovë. Synimi afatgjatë i DSP-së ishte arritja e ndryshimeve të dukshme dhe të qëndrueshme, të cilat kontribuojnë në zhvillimin e shoqërisë demokratike në Kosovë. DSP ka kontribuar në dy objektiva/rezultate, si në vijim:

Objektiva I: Qytetarët e Kosovës dhe organizatat e shoqërisë civile rrisin kërkesën ndaj institucioneve dhe marrin rol aktiv në kërkim të shërbimeve të cilësisë së lartë, qeverisjes së mirë dhe integrimit të pakicave.

Objektiva II: Diaspora kontribuon në mënyrë aktive në zhvillimin demokratik dhe shoqëror të Kosovës.

FUSHAT PRIORITARE TË INTERVENIMIT

Projektet e përkrahura nga DSP kanë trajtuar të paktën njërën nga fushat e mëposhtme prioritare të intervenimit:

  • Aktivitet i shtuar qytetar për të ndikuar tek prioritetet, planifikimi dhe vendimmarrja e qeverisë lokale dhe qendrore;
  • Rritje e aktivitetit qytetar për të mbikëqyrë e për të kërkuar llogaridhënie për mangësitë nga qeveria lokale dhe qendrore;
  • Rritje e pjesëmarrjes në buxhetim, me theks të veçantë në përfshirjen e grave dhe të komuniteteve pakicë;
  • Zgjedhje të ndershme dhe transparente;
  • Rritje e integrimit shoqëror, ekonomik dhe kulturor ndërmjet shumicës dhe të komuniteteve pakicë;
  • Përmirësim i barazisë gjinore në arsimim, vend të punës dhe jetë publike;
  • Kontribut i medieve kosovare dhe shoqërisë civile në proceset e vendimmarrjes dhe hartimit të politikave, të cilat pasqyrojnë dhe zbatojnë të drejtat shoqërore dhe politike të diasporës.