Festojmë 25 vjet punë, bashkëpunim dhe ndikim!

Sot po shënojmë një moment të rëndësishëm në rrugëtimin tonë –25 vjetorin e punës dhe përkushtimit ndaj idealeve të demokracisë dhe shoqërisë civile.

Për të shënuar këtë çerek shekulli të funksionimit të KCSF-së, u mblodhëm së bashku me kolegët e shoqërisë civile, institucionet vendore dhe ndërkombëtare, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare e korit diplomatik në Kosovë, partnerët, bashkëpunëtorët, përfaqësuesit e mediave dhe të gjithë kolegët e ish kolegët e çmuar. Reflektuam mbi 25 vitet e fundit, duke theksuar mirënjohjen e thellë për partneritetet e bashkëpunimet, arritjet e përbashkëta dhe ndikimin pozitiv që kemi bërë kolektivisht.

Së bashku, kemi kapërcyer sfida, kemi festuar fitore dhe kemi punuar drejt një qëllimi të përbashkët për ta bërë Kosovën një vend më të mirë. Andaj kjo ngjarje nuk është vetëm festim i arritjeve tona të kaluara por edhe ripërtëritje e përkushtimit tonë për përpjekjet e vazhdueshme kolektive që synojnë fuqizimin dhe demokratizimin e vendit.