Përgjatë viteve niveli i angazhimit qytetar në Kosovë është përmirësuar, mirëpo ai vazhdon të jetë larg nivelit të angazhimit qytetar të nevojshëm për një demokraci funksionale dhe të shëndetshme. Të rinjtë dhe të rejat përbëjnë përqindjen më të lartë të demografisë në Kosovë, prandaj ka shumë hapësirë për zhvillimin e kuadrove të aktivistëve me bazë në komunitet të aftë për të zbatuar potencialin e tyre të madh për ndryshim dhe transformim shoqëror. Për këtë qëllim, CEA është duke krijuar kohorte të të rinjve aktivë përmes Akademisë për Udhëheqësi në Komunitet.
Të rinjtë aktivë formojnë bazamentin e qytetarëve dhe anëtarëve të komunitetit aktivë të cilët i mobilizojnë bashkëmoshatarët e tyre rreth çështjeve të komunitetit në zonat ku jetojnë dhe punojnë. Të rinjtë që e ndjekin Akademinë për Udhëheqësi në Komunitet zhvillojnë kompetencat e të menduarit kritik, zgjidhjen e problemeve, bashkëpunim dhe rrjetëzim. Ata mësojnë si të avokojnë dhe t’i identifikojnë çështjet në komunitet, fitojnë shkathtësi dhe mentorohen për përgatitjen e ndërhyrjeve që i adresojnë nevojat e komuniteteve të tyre. Përveç kësaj, pjesëmarrësit që kanë ndjekur Akademinë kanë filluar të kontribuojë në politikat e pjesëmarrjes publike përmes angazhimit në monitorimin e konsultimeve publike në nivel lokal.
Për më tepër, integrimi i OShC-ve në kurrikulën e Akademisë dhe shumë aktivitete të tjera ndërtojnë lidhjet ndërmjet OShC-ve dhe të rinjve, duke zgjeruar të kuptuarit e tyre për punën e OShC-ve lokale dhe rëndësinë e aktivizmit qytetar drejt një shoqërie demokratike.