Besimi ka mbi 20 vjet përvojë pune në menaxhimin e programeve ndërkombëtare për zhvillim, mbrojtjen e të drejtave të mediave dhe gazetarëve, dhe në programe për çështje të strehimit dhe banimit në Evropën Juglindore, Evropën Qëndrore e Lindore, dhe në Azinë Qëndrore. Ka përvojë të gjerë në administrimin dhe mbështetjen e zyrave në terren, njohuri të mira për aktorët e politikave të zhvillimit ndërkombëtar në Ballkanin Perëndimor. Ka përvojë të madhe në menaxhimin e ciklit të projekteve dhe përvojë të bazuar në rezultate për menaxhimin e programeve për zhvillim të mbështetura nga agjencitë e huaja donatore. Ka menaxhuar programe shumëvjeçare në shumë vende për USAID-in e BE-në dhe ka qenë i angazhuar si këshilltar nga USAID, SDC, BE, OKB dhe organizata të tjera të mëdha ndërkombëtare. Njohuria e tij për rolin e shoqërisë civile në procesin e demokratizimit në rajon plotësohet me njohuri të thelluara të kontekstit socio-politik në Kosovë. Duke qenë i përfshirë në shoqërinë civile, edhe profesionalisht si trajner dhe menaxher, edhe individualisht si aktivist, Besimi ka njohuri të thella dhe përvojë me aktivizmin qytetar, hartimin e politikave pjesëmarrëse, në ndërtimin e anëtarësisë, barazi gjinore dhe në mbështetje të komuniteteve pakicë dhe grupeve të cenuara. Pasi në vitet e 90-të ka filluar si administrator për grante të vogla në OJQ, ka mbi 20 vjet përvojë pune ndërkombëtare në vlerësimin e propozimeve për grante, vlerësime të jashtme dhe vlerësime të ndikimit të programeve të mëdha për zhvillimin e shoqërisë civile. Gjuha e tij amtare është shqipja dhe flet rrjedhshëm anglishten, maqedonishten dhe serbishten.