Thirrje për aplikim: Akademia digjitale për OShC (DIGITCSO)

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe Community Building Mitrovica (CBM) ftojnë të gjitha organizatat e shoqërisë civile të aplikojnë në Akademinë Digjitale për OShC-të (DIGITCSO), një program edukativ i krijuar në kuadër të Qendrës së Burimeve për Shoqëri Civile në Kosovë për të fuqizuar dhe rritur ndikimin e organizatave të shoqërisë civile (OShC) në vend.

PËRSHKRIMI I PROGRAMIT

Akademia Digjitale për OShC është program i zhvillimit profesional dhe i të mësuarit praktik, që u përgjigjet nevojave në rritje të OShC-ve për të integruar teknologjinë dhe inteligjencën artificiale (IA) në punën e tyre të përditshme.  Akademia synon të përmirësojë menaxhimin e brendshëm, të forcojë komunikimin dhe avokimin, si dhe t’i ndihmojë organizatat të lidhen më ngushtë me qytetarët dhe komunitetet që përfaqësojnë.

Përmes ushtrimeve praktike, pjesëmarrësit do të mësojnë të përzgjedhin mjete digjitale që u përshtaten nevojave dhe burimeve të organizatave të tyre, përfshirë mjete falas dhe me burim të hapur. Ata do t’i përdorin këto mjete për të thjeshtuar proceset e brendshme, për të përmirësuar bashkëpunimin në ekip dhe për të rritur dukshmërinë në internet.  Akademia do t’i ndihmojë gjithashtu të komunikojnë në mënyrë më të qasshme dhe të përfshijnë qytetarët për çështje që kanë rëndësi për komunitetet e tyre.

Akademia do të zhvillohet nga dhjetori 2026 deri në janar 2027 dhe do të ofrohet për 20–25 OShC të përzgjedhura. Programi përfshin katër module, secili me dy ditë të plota trajnimi, nga ora 09:00 deri në 16:00.

OShC-të që përfundojnë me sukses Akademinë do të kenë mundësi të përfitojnë mentorim nga ekspertë të fushës për të adresuar çështje konkrete që lidhen me transformimin digjital të organizatës së tyre.

Akademia do të ofrojë gjithashtu hapësirë për rrjetëzim, shkëmbim të përvojave dhe bashkëpunim ndërmjet OShC-ve.

I gjithë programi ofrohet falas për organizatat e përzgjedhura. Gjithashtu, shpenzimet e udhëtimit do të rimbursohen për pjesëmarrësit nga jashtë Prishtinës.

ÇKA OFRON PROGRAMI?

DIGITCSO ofron një rrugëtim zhvillimor të ndërlidhur, në të cilin organizatat vlerësojnë maturinë e tyre digjitale, praktikojnë mjete konkrete dhe hartojnë hapa për zbatim të drejtpërdrejtë në punën e tyre. Secili modul përfundon me një produkt praktik që organizata mund ta përdorë menjëherë.

Programi është i strukturuar në katër module, secili me fokus specifik në temat:

  • Moduli 1: Transformimi digjital dhe bashkëpunimi në ekip (10- 11 dhjetor, 2026)
  • Moduli 2: Përdorimi i inteligjencës artificiale (IA) në detyrat dhe proceset e punës ( 16-17 dhjetor), 2026
  • Moduli 3: Komunikimi digjital, avokimi dhe angazhimi i komunitetit (13-14 janar, 2027)
  • Moduli 4: Siguria kibernetike, mbrojtja e të dhënave dhe qëndrueshmëria digjitale (20-21 janar, 2027)


ÇKA DO TË FITOJNË PJESËMARRËSIT:

Pas përfundimit të Akademisë, pjesëmarrësit pritet të jenë në gjendje:

  • Të vlerësojnë maturinë digjitale të organizatës, të identifikojnë nevojat dhe prioritetet, dhe të përzgjedhin zgjidhje që u përshtaten burimeve të tyre.
  • Të përdorin platforma dhe mjete me burim të hapur për bashkëpunim në ekip, menaxhim të punës dhe automatizim të proceseve përsëritëse.
  • Të përdorin IA-në për të lehtësuar detyrat e përditshme, si kërkimi dhe përmbledhja e informacionit, organizimi i materialeve të punës dhe përgatitja e raporteve, duke verifikuar informacionin dhe duke mbrojtur të dhënat e ndjeshme.
  • Të krijojnë përmbajtje të qasshme, të rrisin dukshmërinë online dhe t’i angazhojnë qytetarët në nisma avokuese përmes mediave digjitale dhe vizualizimit të të dhënave.
  • Të zbatojnë praktika të sigurisë kibernetike dhe të mbrojtjes së të dhënave dhe komunikimit, në përputhje me kornizën ligjore në Kosovë.
  • Të hartojnë Planin e Veprimit Digjital dhe të identifikojnë hapa konkretë për zbatimin e tij.

Përgjatë pjesëmarrjes në Akademi dhe pas përfundimit, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të përfitojnë:

  • Mentorim nga ekspertë të fushës, i përshtatur me nevojat e OShC-ve dhe i fokusuar në zbatimin praktik të Planit të Veprimit Digjital.
  • Materiale dhe shabllone praktike, përfshirë udhëzues hap pas hapi për mjetet digjitale, lista kontrolli dhe modele dokumentesh.
  • Rrjetëzim dhe shkëmbim të përvojave me OShC të tjera, si dhe mundësi për bashkëpunim.

MËNYRA E APLIKIMIT

Të drejtë aplikimi kanë të gjitha organizatat e shoqërisë civile që janë të regjistruara dhe veprojnë në Kosovë. Secila OShC mund të propozojë deri në 2 anëtarë/e të stafit, bazuar në përgjegjësitë e tyre brenda organizatës, për të marrë pjesë në modulet e Akademisë. Pjesëmarrësit/et duhet të kenë mundësinë t’i zbatojnë njohuritë e fituara në organizatën e tyre.

Aplikuesit duhet t’i ofrojnë informatat duke plotësuar formularin përmes sistemit të aplikimit online.

KRITERET E APLIKIMIT

  • Të jetë Organizatë e Shoqërisë Civile, e regjistruar në Kosovë;
  • Aplikacioni të jetë i plotësuar tërësisht dhe të ofrojë përgjigje të plota për të gjitha pyetjet;
  • Organizata të ketë propozuar deri në 2 anëtarë/e të stafit të angazhuar në fushat përkatëse (p.sh. drejtor/e ekzekutiv/e, menaxher/e programi, zyrtar/e komunikimi, zyrtar/e IT/digjital, administrator/e);
  • Organizata të ketë si synim zhvillimin digjital dhe të tregojë angazhim për t’i zbatuar njohuritë e fituara;
  • Pjesëmarrja në Akademi të jetë e lidhur me objektivat strategjike të organizatës dhe të kontribuojë në realizimin e tyre;
  • Organizata të tregojë vullnet për zhvillim të kapaciteteve, bazuar në nevojat e identifikuara.

*Vetëm OShC-të e përzgjedhura do të kontaktohen përmes e-mailit.* Qendra e Burimeve për Shoqëri Civile, në bashkëpunim të ngushtë me OShC-të e përzgjedhura, do të bëjë edhe caktimin e anëtarëve/eve pjesëmarrës/e në secilin modul.

Pas përfundimit të Akademisë, pjesëmarrësit pritet t’i zbatojnë aftësitë e fituara dhe t’i shkëmbejnë njohuritë dhe përvojat brenda organizatave të tyre.

Në përfundim të programit, pjesëmarrësit që ndjekin modulet do të pajisen me certifikatë të pjesëmarrjes.

DORËZIMI I APLIKACIONEVE

OShC-të e interesuara duhet të plotësojnë aplikacionin përmes sistemit të aplikimit online.

Për udhëzime mbi regjistrimin dhe përdorimin e sistemit të aplikimit online, ju lutem referojuni informatave në uebfaqen e sistemit të aplikimit online.

Do të merren në konsideratë vetëm aplikacionet që i plotësojnë të gjitha kërkesat e specifikuara në këtë thirrje dhe në formularin e aplikimit.

Afati i fundit për aplikim është 3 dhjetor, ora 16:00.

Të gjitha pyetjet apo informatat shtesë në lidhje me Akademinë Digjitale për OShC ose procesin e aplikimit mund t’i dërgoni përmes e-mailit në rc-kosovo@kcsfoundation.org .

Ky aktivitet bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian dhe Suedia. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe Community Building Mitrovica (CBM) dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian ose të Suedisë.