FONDACIONI KOSOVAR PËR SHOQËRI CIVILE

Organizimi dhe qeverisja e brendshme e OShC – ve

1. Çka nënkuptojmë me qeverisjen e brendshme të OShC – ve?

Qeverisja e brendshme e organizatave të shoqërisë civile nënkupton parimet, sistemet, rregullat, mekanizmat dhe praktikat në bazë të të cilave drejtohet një organizatë. Qeverisja e mirë nënkupton që parimet dhe praktikat e qeverisjes së brendshme ofrojnë një sistem të brendshëm të kontrollit që siguron se udhëheqësit e organizatës i shfrytëzojnë burimet dhe autoritetin në mënyrë efektive dhe llogaridhënëse bazuar në vlerat e përbashkëta të organizatës.

2. Cilat janë parimet themelore për qeverisje të brendshme të OShC – ve?

Edhe pse ka dallime varësisht nga lloji i organizatës, disa nga parimet kryesore të qeverisjes së brendshme janë: ekzistenca e një misioni të qartë dhe veprimtaria në kuadër të atij misioni, ekzistenca e strukturave të brendshme me përgjegjësi të ndara dhe të qarta, ndarja në mes të organeve udhëheqëse dhe menaxhmentit, menaxhimi i rregullt financiar, transparenca dhe llogaridhënia ndaj hisedarëve, standardet etike të punës dhe sjelljes, etj. 

3. Cili është burimi i obligimeve për qeverisje të brendshme të OShC – ve?

Qeverisja e brendshme e OShC-ve në Kosovë bazohet në detyrime të jashtme ligjore dhe kontraktuale, dhe parime të brendshme. Detyrimet e jashtme kryesisht përfshijnë kërkesat ligjore për OShC-të e regjistruara në raport me strukturat formale të brendshme dhe obligimet për raportim të kategorive të ndryshme të organizatave, ndërsa parimet e brendshme përfshijnë sisteme të funksionimit të bazuara në vlera, statut, rregullore, kode të mirësjelljes, etj. Shumica e detyrimeve ligjore dalin nga Ligji për Liri të Asociimit në OJQ. Detyrimet kontraktuale burojnë zakonisht në momentin e përkrahjes së organizatës me fonde apo mjete tjera, e për të cilat organizata shfrytëzuese obligohet t’i shfrytëzojë në përputhje me detyrimet kontraktuale.  Parimet e brendshme përcaktohen kryesisht me dokumentet e brendshme të vetë organizatave përkatëse dhe lindin nga organet udhëheqëse, anëtarët, përkrahësit, organizatat partnere, etj.

4. Cilat janë format e organizimit të OShC – ve në Kosovë?

Shumica e organizatave të shoqërisë civile në Kosovë janë të regjistruara si OJQ. Sa u përket formave ligjore që përcaktojnë mënyrën e organizimit dhe qeverisjes së brendshme të OJQ-ve, ato ndahen në shoqata dhe fondacione.

5. Cilat janë dallimet në mes të shoqatave dhe fondacioneve?

Shoqatat janë organizata të anëtarësisë, ndërsa fondacionet themelohen për të menaxhuar një pasuri ose fond, dhe si të tilla nuk kanë anëtarë.

6. Cili është organi më i lartë drejtues i shoqatës?

Organi më i lartë drejtues i shoqatës është Kuvendi i Anëtarëve, i cili duhet të takohet të paktën një herë në vit. Në Kuvendin e Anëtarëve përfaqësohen të gjithë anëtarët e OShC-të (ose me nga një anëtar të  gjitha organizatat anëtare, në rastet kur shoqata është rrjet i disa organizatave).

7. Cili është organi më i lartë drejtues i Fondacionit?

Organi më i lartë drejtues i fondacionit është Bordi i Drejtorëve, i cili duhet të takohet të paktën një herë në vit. Bordin e Drejtorëve e cakton themeluesi i fondacionit (vetëm përbërjen e parë), ndërsa në vazhdim anëtarët e Bordit zgjedhen nga vetë Bordi.

8. A mund të shndërrohet shoqata në fondacion dhe anasjelltas?

Pas regjistrimit si OJQ, forma e organizimit nuk mund të ndryshohet.   

9. A mund të ndërmarrin OShC – të aktivitet ekonomik?

Bazuar në parimet ndërkombëtare për funksionim të OJQ-ve, si dhe Ligjit për Liri të Asociimit në OJQ, OShC-të mund të ndërmarrin aktivitete ekonomike me qëllim të mbështetjes së aktiviteteve të saja jofitimprurëse dhe me kusht që të ardhurat e realizuara nëpërmjet aktiviteteve ekonomike të shfrytëzohen për të arritur misionin dhe qëllimet e organizatës. Të hyrat nga aktiviteti ekonomik në asnjë mënyrë nuk guxojnë të shpërndahen te ndonjë udhëheqës apo anëtar i organizatës, përveç pagesës për punën e bërë. Varësisht nga lloji i organizatës, në praktikën ndërkombëtare ka kufizime të caktuara për aktivitetet ekonomike.

10. Ku duhet të raportojnë OShC – të?

OShC-të, varësisht nga lloji dhe niveli i organizimit, kanë obligime të ndryshme të raportimit. Si rregull, të gjitha llojet e OShC-ve duhet t’i raportojnë në baza të rregullta organit më të lartë udhëheqës të organizatës. Raportimi te institucionet shtetërore bëhet vetëm për aspektet administrative/fiskale, sa herë që OShC-të janë të regjistruara si persona juridikë (OJQ) dhe ndërmarrin aktivitete administrative apo bëjnë pagesa dhe paguajnë taksa. Vetëm organizatat me Status për Përfitim Publik duhet të raportojnë në baza vjetore në Departamentin për Regjistrim dhe Ndërlidhje me OJQ lidhur me veprimtarinë dhe financat e tyre. OShC-të, në momentin që pranojnë fonde nga një donator, obligohen që t’i raportojnë donatorit për mënyrën dhe rregullësinë e shfrytëzimit të atyre fondeve. Niveli i raportimit te donatori dallon varësisht nga rregullat e secilit donator.

Përveç raportimit obligativ, OShC-të mund të zgjerojnë grupet të cilave u raportojnë në mënyrë vullnetare, me qëllim të rritjes së përkrahjes publike për punën e OShC-së dhe fuqizimin e veprimtarisë së vet.

Për fund, secila OJQ është e obliguar që çdo vit të dorëzojë në DRNOJQ një deklaratë që konfirmon se të dhënat bazë të saj nuk kanë ndryshuar, ose që njofton me ndryshimet e atyre të dhënave. Nëse kjo deklaratë nuk dorëzohet për 2 vjet me radhë, OJQ-ja çregjistrohet, pas një njoftimi nga DRNOJQ 60 ditë para skadimit të afatit. Po ashtu, në rast të ndryshimeve në Statutin e OJQ-së, të gjitha OJQ-të janë të obliguara që këto ndryshime t’i paraqesin në DRNOJQ.

Regjistrohu në KCSF

Informohu mbi zhvillimet e fundit duke u regjistruar në databazën e KCSF-së Regjistrohu

Informatori Elektronik i KCSF-së

më shumë

Pyetjet më të shpeshta?

Çka është IPA - Instrumenti i Paraanëtarësimit?më shumë