Adresa Fazli Grajqevci 4/a, 10000, Prishtinë, Kosovë
Tel/Fax: +381 (0)38 248 643
+381 (0)38 248 636
office@kcsfoundation.org
FONDACIONI KOSOVAR PËR SHOQËRI CIVILE

RAPORTI PËR KOSOVË I KOMISIONIT EUROPIAN KONFIRMON ÇËSHTJET E NGRITURA NGA KCSF RRETH AMBIENTIT TË FAVORSHËM PËR ZHVILLIM TË SHOQËRISË CIVILE

Bruksel, Prishtinë – 19 prill 2018


Më 17 prill 2018, Komisioni Europian publikoi Raportin për Kosovë për vitin 2018. Kapitulli i Kritereve Politike, ndër të tjera përfshin edhe një vlerësim të çështjeve kryesore mbi shoqërinë civile dhe ambientin e favorshëm për veprimtarinë e këtij sektori. KCSF vëren se Raporti i KE-së për Kosovë i këtij viti ka marr parasysh shumicën e çështjeve të ngritura nga KCSF në kontributet me shkrim dërguar Komisionit Europian. Kontributet e KCSF-së bazohen në ekspertizën e saj të gjërë dhe hulumtimin dhe avokimin e rregullt për zhvillimin e shoqërisë civile.


Në Raportin e KE-së thuhet se është arritur përparim nëpërmjet hyrjes në fuqi të Rregullores për Standarde Minimale më 1 janar 2017 dhe lansimit të Platformës Online për konsultim publik në shkurt 2017, si dhe nga përpjekjet e bëra për zbatim të këtyre standardeve. Megjithatë, Raporti thekson shqetësimin e njejtë sikurse edhe KCSF-ja, se disa ministri nuk janë gati për të përmbushur obligimet që dalin nga Rregullorja, duke marrë për shembull përqindjen e ulët të dokumenteve parësore të politikave dhe projekt ligjeve të publikuara për konsultim publik. Për më tepër, Raporti i KE-së shpreh brengën në lidhje me shkallën e ulët të pjesëmarrjes në konsultime publike nga shoqëria civile dhe publiku.


Përsa i përket përfshirjes së shoqërisë civile në agjendën e BE-së, raporti i KE-së 2018 nuk adreson komentet e dhëna dhe shqetësimet e KCSF në lidhje me: a) Strategjinë Kombëtare për integrimin në BE 2014-2020, e cila është harruar së ekzistuari, i mungon titullari, dhe asnjë veprim nuk është ndërmarrë për ta zbatuar atë; b) Këshillin Kombëtar për Integrim Europian, si një forum ku shoqëria civile mund të ngre çështje në nivelin më të lartë, dhe i cili nuk funksionon; dhe c) Strategjinë e Komunikimit dhe Informimit në mbështetje të Procesit të Integrimit Europian të Kosovës 2017 -2020, ku shoqëria civile mund të kontribuojë, dhe e cila ende nuk është miratuar. "


Raporti i KE-së gjithashtu e njeh përparimin e arritur me anë të miratimit dhe hyrjes në fuqi të Rregullores mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve, si mënyrë për të përmirësuar qeverisjen dhe ngritur transparencën në ndarjen e fondeve publike. Megjithatë, vlerëson se disa ministrive e komunave u mungojnë kapacitetet teknike që buxhetin e ndarë ta zbatojnë në mënyrë efektive në përputhje me kriteret dhe procedurat e Rregullores. Në vijim të kërkesave të vazhdueshme për publikim të informatave mbi fondet publike të ndara për OJQ-të, Raporti i KE-së e paraqet si hap pozitiv drejt rritjes së transparencës, publikimin për herë të parë të Raportit Qeveritar mbi fondet publike për OJQ, në mars 2017. Megjithatë, në përputhje me gjetjet e KCSF-së në analizën e detajuar të raportit qeveritar dhe çështjet e identifkuara mbi tipin dhe saktësinë e të dhënave të prezantuara nga Qeveria, Raporti i KE-së konfirmon se të dhënat e ofruara në raportin qeveritar nuk mundësojnë analizë kuptimplote të ndarjes së fondeve për OJQ-të.


Si pasojë e mungesës së çfarëdo përmirësimi gjatë viteve të fundit, Raporti i KE-së vazhdon ta vlerësojë kornizën ligjore për lehtësira tatimore si të paqartë.


Pavarësisht përmirësimeve të vitit 2016 në Ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit, ky ligj vazhdon të ketë dispozita kufizuese për OJQ të cilat nuk i përmbushin standardet ndërkombëtare dhe Acquis të BE-së. Raporti i KE-së e konfirmon këtë duke theksuar dispozitat kufizuese për OJQ-të që lidhen me kërkesat e shtuara për raportim. Gjithashtu, përmend fillimin e vlerësimit sektorial të rrezikut për OJQ që synon të identifikojë deri në ç’masë sektori jo-për-përfitim rrezikohet nga financimi i terrorizmit. Ky vlerësim, i filluar nga Njësia për Inteligjencë Financiare në shtator të 2017, ka qenë kërkese e kahmotshme e KCSF-së.


Në fund, Raporti i KE-së përmend që hartimi i Ligjit të ri për lirinë e asociimit në OJQ është në proces dhe kërkon qartësim të hollësishëm të rregullave mbi themelimin, regjistrimin, veprimtarinë, pezullimin, shuarjen dhe ç’regjistrimin e OJQ-ve.


Për më tepër, shih Kontributin e KCSF-së për Raportin e KE-së për Kosovë 2018 dhe Raportin e KE-së për Kosovë për vitin 2018 (faqe 9, 10 dhe 29), në gjuhën angleze.

Regjistrohu në KCSF

Informohu mbi zhvillimet e fundit duke u regjistruar në databazën e KCSF-së Regjistrohu

Informatori Elektronik i KCSF-së

më shumë

Pyetjet më të shpeshta?

Çka nënkuptojmë me Statusin për Përfitim Publik?më shumë