Adresa Fazli Grajqevci 4/a, 10000, Prishtinë, Kosovë
Tel/Fax: +381 (0)38 248 643
+381 (0)38 248 636
office@kcsfoundation.org
FONDACIONI KOSOVAR PËR SHOQËRI CIVILE

Rreth 200 organizata të shoqërisë civile përfituan nga trajnimet e KCSF

Ngritja dhe zhvillimi i kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile ka vazhduar zhvillimin si komponent qendror i punës së Qendrës së Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile edhe përgjatë vitit 2017. Me ofrimin e shërbimeve të Qendrës, KCSF-ja ka synuar të krijojë një hapësirë, e cila do të ishte në funksion të drejtpërdrejtë të zhvillimit të mëtejshëm të sektorit.


Në këtë mënyrë bëhet e mundur që organizatat jo vetëm të informohen drejt rreth të gjitha proceseve që lidhen me aktivitetet e tyre, por edhe të mobilizohen për krijimin e një sinergjie, e cila do të ndikonte në përmirësimin e bashkëpunimit midis organizatave të shoqërisë civile, por edhe midis autoriteteve publike dhe donatorëve. Në përmbushje të këtij synimi, përgjatë vitit 2017, nga trajnimet kanë përfituar rreth 200 organizata të shoqërisë civile, përmes pakove të trajnimeve bazike dhe trajnimeve specifike.


Programi i rregullt i trajnimeve u përbë nga 6 trajnime 2-3 ditore, temat e të cilave u dizajnuan për të avancuar aftësitë e përfaqësuesve që të angazhohen për mirëfunksionimin e organizatave përkatëse, sidomos të atyre themeluar rishtazi. 20 OSHC përfituan njohuri thelbësore përmes këtyre gjashtë trajnimeve nga disa prej ekspertëve më të kualifikuar të fushave përkatëse. Ky program, qëllimi i të cilit ishte ngritja e kapaciteteve të përgjithshme të organizatave të shoqërisë civile në Kosovë, u mundësua me mbështetjen e Ambasadës së Suedisë.


Krahas Pakos së Trajnimeve, organizatat e shoqërisë civile patën mundësi të përfitojnë edhe nga trajnimet specifike, të organizuara sipas kërkesave të OSHC-ve bazuar mbi nevojat e tyre.



Duke marrë shkas nga hyrja në fuqi e Rregullores për standardet minimale për konsultim publik fillimvitin e kaluar, KCSF organizoi një seri trajnimesh me organizatat e shoqërisë civile për “Standardet Minimale për Procesin e Konsultimit Publik” në pesë komuna të Kosovës, në Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjilan dhe Mitrovicë. Përveç obligimeve dhe mekanizmave të pjesëmarrjes së shoqërisë civile që dalin nga kjo rregullore, përfaqësuesit e 78 organizatave pjesëmarrëse u njohën edhe me parimet e përgjithshme të pjesëmarrjes qytetare dhe elemente praktike të kontributit të shoqërisë civile në procesin e hartimit të politikave dhe ligjeve në nivel të Qeverisë. Programi i trajnimeve u hartua bazuar në një marrëveshje bashkëpunimi që KCSF ka nënshkruar me Zyrën për Qeverisje të Mirë të Zyrës së Kryeministrit.



Tutje, trajnime në temat “Qeverisja e brendshme e organizatave të shoqërisë civile” dhe “Procedurat e raportimit dhe obligimet e OJQ-ve ndaj Administratës Tatimore të Kosovës” u ofruan për rreth 20 organizata anëtare të rrjetit CiviKos. Me hyrjen në fuqi të Kodit Etik, Sekretariati i Platformës CiviKos evidentoi që disa organizata anëtare në këtë Platformë nuk janë të pajisura me Rregullore të Punës dhe parashtroi kërkesë për mbështetjen e këtyre organizatave në mënyrë që ato të mund t’i përgjigjen obligimeve të Kodit Etik. Gjithashtu, për një grup të caktuar të disa organizatave që kishin nevoja më specifike, KCSF mundësoi ofrimin e seancave për këshillim gjatë punës.


Me evidentimin e nevojave lidhur me forcimin e kapaciteteve të tyre, organizatat përfituese të granteve nga skemat e zbatuara nga KCSF patën mundësinë që të ndjekin trajnime në tema si qeverisja e brendshme, planifikimi strategjik dhe ngritja e fondeve, menaxhimi i ciklit të projektit, metodat e avokimit dhe obligimet tatimore të OJQ-ve. Me anë të njohurive dhe aftësive të zhvilluara, u synua që të kontribohet drejtpërdrejt në zbatimin e suksesshëm të projekteve të zbatuara nga përkrahja e ofruar nga KCSF, por njëkohësisht edhe në zhvillimin e kapaciteteve organizative drejt qëndrueshmërisë së organizatës.



Këto trajnime u ofruan pa pagesë në kuadër të Qendrës së KCSF-së, e cila ka për funksion të drejpërdrejtë zhvillimint e sektorit të shoqërisë civile përmes promovimit dhe përkrahjes së organizimit dhe qeverisjes së mirë të OShC-ve; mbledhjes, strukturimit dhe shpërndarjes së informatave për zhvillimet e fundit të sektorit të shoqërisë civile; ngritjes së kapaciteteve të OSHC-ve; dhe ngritjes së nivelit të bashkëpunimit në mes të OSHC-ve, autoriteteve publike dhe donatorëve.
 

Regjistrohu në KCSF

Informohu mbi zhvillimet e fundit duke u regjistruar në databazën e KCSF-së Regjistrohu

Informatori Elektronik i KCSF-së

më shumë

Pyetjet më të shpeshta?

Cila është baza ligjore për shoqërinë civile në Kosovë?më shumë