LAJMI I FUNDIT: SINJALIZUESI MURAT MEHMETI DHE PORTALI INSAJDERI NDEROHEN ME ÇMIMIN... më shumë
FONDACIONI KOSOVAR PËR SHOQËRI CIVILE

SINJALIZUESI MURAT MEHMETI DHE PORTALI INSAJDERI NDEROHEN ME ÇMIMIN PËR DEMOKRACI

 

 

Denoncuesi i një skeme masive të evazionit fiskal në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), z. Murat Mehmeti, dhe gazeta online Insajderi, publikuese e një sërë hulumtimesh mbi korrupsionin dhe krimin e organizuar, morën Çmimin për Demokraci për vitin 2017.


Ky çmim u nda të martën, më 19 dhjetor 2017, në Prishtinë, nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim (SDC), Ministria e Punëve të Jashtme të Danimarkës (DANIDA) dhe Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).


Çmimi për Demokraci jepet në kuadër të projektit “Promovimi i Shoqërisë Demokratike” (DSP), për individë apo organizata që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në forcimin e demokracisë në Kosovë.


Çmimi i këtij viti iu nda sinjalizuesit të ATK-së, z. Murat Mehmeti, dhe përfaqësuesve të Insajderit, z. Vehbi Kajtazi dhe z. Parim Olluri, pas një gare të hapur njëvjeçare dhe shqyrtimit të 12 nominimeve të paraqitura.
Z. Patrick Etienne, Drejtor i Zyrës Zvicerane për Kosovën, vlerësoi guximin dhe përkushtimin e fituesve të Çmimit për Demokraci 2017, duke theksuar nevojën për një shoqëri civile më aktive, e cila e shtyn qeverinë për më shumë transparencë dhe llogaridhënie.


“Jam optimist për Kosovën kur shoh që ka aktorë të zgjuar, të përkushtuar dhe të guximshëm, të cilët janë të vetëdijshëm se të qenurit indiferentë kur dëmtohet interesi publik nuk ofron zgjidhje për vendin”, tha z. Etienne. 

 


 

Drejtorja Ekzekutive e KCSF-së, Znj. Venera Hajrullahu, tha se çmimi vë në dukje punën, guximin dhe vetëmohimin e qytetarëve të Kosovës për demokratizimin e vendit.


“Ky çmim është përfaqësues i vlerave tona, dhe shpresojmë që përfaqëson edhe vlerat e çdo qytetari që ka në zemër shndërrimin e Kosovës në një demokraci përfaqësuese dhe shtet funksional”, theksoi znj. Hajrullahu.

 

 

 

Z. Murat Mehmeti, i cili zbuloi dhe denoncoi një skemë të madhe mashtrimi dhe evazioni fiskal në administratën tatimore, tha se përpjekjet e tij në ekspozimin e kësaj keqbërjeje nuk ishin një përpjekje e izoluar.


“Dalja ime para publikut dhe denoncimi që vijoi, nuk ka qenë hidhërim i imi i çastit, por akumulim shumëvjeçar i pakënaqësisë sime dhe shumë të tjerëve, të cilët përballen me padrejtësi që u bëhen vetëm sepse mundohen të bëjnë punën e tyre sipas ligjit”, theksoi z. Mehmeti.


Parim Olluri, Drejtor Ekzekutiv i Insajderit, tha se ende pa i mbushur dy vite, kjo media është shndërruar në armikun e pushtetarëve të korruptuar, të cilët u munduan t’i korruptonin drejtuesit e gazetës online.


“Nuk mundën dhe ne vazhduam me hulumtimet tona. Synuan të na frikësojnë edhe përmes sulmeve fizike ndaj meje dhe kolegut tim, por nuk arritën të na frikësonin. Ne do të vazhdojmë të bëjmë punën  tonë”, tha z. Olluri.


Kryeredaktori i Insajderit, Vehbi Kajtazi, tha se kur filluan këtë projekt, kanë pasur tre qëllime, ndërtimin e një mediumi kredibil, të paanshëm dhe profesional, mposhtjen e frikës dhe kontributin në të mirën e përbashkët.


“Dy qëllimet e para mendoj se i kemi arritur tashmë. Qëllimi i tretë po konfirmohet sonte me nderimin që po na bëhet me Çmimin për Demokraci”, tha z. Kajtazi.


Fituesit e çmimit të këtij viti u bashkohen individëve dhe organizatave që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në forcimin e demokracisë në Kosovë, përfshi Fondacionin Lumbardhi, i cili u vlerësua me Çmimin për Demokraci 2016 për nismën e suksesshme të mbrojtjes së Kinemasë Lumbardhi në Prizren.
 

Regjistrohu në KCSF

Informohu mbi zhvillimet e fundit duke u regjistruar në databazën e KCSF-së Regjistrohu

Informatori Elektronik i KCSF-së

më shumë

Pyetjet më të shpeshta?

A duhet të regjistrohem si OJQ para se të aplikoj për fonde?më shumë