LAJMI I FUNDIT: Thirrje për aplikim - Kontributi në zbatimin e Marrëveshjes... më shumë
FONDACIONI KOSOVAR PËR SHOQËRI CIVILE

Miratohet rregullorja për financimin publik të OJQ-ve

Pas kërkesave të shumta të shoqërisë civile dhe një pune të përbashkët dyvjeçare ndërmjet zyrtarëve publikë, shoqërisë civile dhe ekspertëve ndërkombëtarë, u miratua rregullorja për financimin publik të OJQ-ve.


Rregullorja mbi Kriteret, Standardet dhe Procedurat e Financimit Publik të OJQ-ve (MF-NR. 04/2017), e nënshkruar më 13 qershor 2017 nga Ministri i Financave në detyrë, z. Avdullah Hoti, ndërton një sistem të përkrahjes financiare për OJQ-të nga fondet publike të Kosovës.


Ky dokument shënon një hap të rëndësishëm përpara duke diktuar rregullat për mbështetjen e organizatave të shoqërisë civile përmes fondeve publike, sipas standardeve të transparencës, meritokracisë dhe zbatimit të plotë të ligjeve në fuqi.


Sipas rregullores, të gjitha organizatat buxhetore në nivel qendror dhe lokal, bazuar në kriteret dhe procedurat e përgjithshme të përcaktuara në të, obligohen që:

  • Të parashohin përkrahjen financiare për OJQ-të brenda buxhetit vjetor;
  • Të planifikojnë mënyrën dhe fushat e përkrahjes në kuadër të buxhetit të aprovuar;
  • Të shpallin thirrje të hapura, të bazuara në kritere të qarta dhe forma standarde të aplikimit, të shoqëruara me udhëzime të detajuara për aplikim;
  • Të vlerësojnë aplikacionet bazuar në sistem të standardizuar të vlerësimit dhe nëpërmjet Komisioneve Vlerësuese, në përbërje të të cilëve duhet të ketë edhe ekspertë të jashtëm;
  • Të informojnë të gjitha palët e interesuara dhe publikun rreth rezultateve të vlerësimit, organizatave të përkrahura, shumave të financimit, natyrës së projekteve të përkrahura etj.;
  • T’i trajtojnë ankesat eventuale;
  • Të nënshkruajnë kontrata për secilin projekt apo program të përkrahur;
  • T’i monitorojnë projektet dhe programet e përkrahura dhe të mbledhin e analizojnë raportet e pranuara;
  • Të përgatisin raporte vjetore të përkrahjes financiare për OJQ-të me informata të detajuara mbi fushat dhe shumat e përkrahjes, përfituesit, shpërndarjen gjeografike dhe tematike, zbatimin e kritereve dhe procedurave etj.


Rregullorja është e shoqëruar me udhëzues të detajuar të zbatimit, përfshirë formularët dhe materialet tjera të nevojshëm për zbatim të njëjtë nga të gjitha institucionet publike.


Deri më tani, institucionet publike kanë ndarë mjete të konsiderueshme financiare për OJQ-të, por pa ndonjë kriter, procedurë apo sistem të qartë. Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), bashkë me një numër organizatash tjera të shoqërisë civile, gjatë viteve të fundit kanë avokuar për ndërtimin e një sistemi të tillë, ndërsa kanë kontribuar drejtpërdrejt në përcaktimin e modelit të financimit dhe hartimin e rregullores.


Rregullimi i fushës së financimit publik të OJQ-ve parashihet si një nga aktivitetet e rëndësishme të strategjisë qeveritare për bashkëpunim me shoqërinë civile 2013-2017.
 


Regjistrohu në KCSF

Informohu mbi zhvillimet e fundit duke u regjistruar në databazën e KCSF-së Regjistrohu

Informatori Elektronik i KCSF-së

më shumë

Pyetjet më të shpeshta?

A mund të ndërmarrin OShC – të aktivitet ekonomik?më shumë