Integrimi europian

Institucionet e BE-së

Bashkimi Europian (BE) është bashkim ekonomik dhe politik i 28 shteteve anëtare. BE-ja operon nëpërmjet sistemit të institucioneve supernacionale të pavarura dhe vendimeve ndërqeveritare të negociuara nga shtetet anëtare. Institucionet kryesore të  BE-së janë: Komisioni Europian, Këshilli i BE-së, Këshilli Europian, Parlamenti Europian, Gjykata Europiane e Drejtësisë, Banka Qendrore Europiane dhe Gjykata e Auditorëve.


Komisioni Europian

Komisioni është institucion kyç i BE-së. Komisioni ka të drejtë të hartojë propozime për legjislacionin e ri të BE-së, të cilin e dërgon në Këshill dhe Parlament për t’u diskutuar dhe për miratim. Anëtarët e vet emërohen për mandate pesëvjeçare, me anë të marrëveshjes midis shteteve anëtare, e cila pastaj i nënshtrohet miratimit të Parlamentit Europian. Komisioni aprovohet dhe i përgjigjet Parlamentit Europian.

Komisioni përbëhet nga një anëtar i tij (komisioner) nga çdo vend i BE-së, duke përfshirë edhe presidentin e Komisionit dhe përfaqësuesen e Lartë për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, e cila është njëra nga zëvendëspresidentët e Komisionit.

Më 9 shkurt 2010, Parlamenti Europian votoi miratimin e Komisionit aktual 2009-2014. Ish-kryeministri i Portugalisë, Zhoze Manuel Barroso, u riemërua president i Komisionit edhe për një mandat pesëvjeçar. Komisioni gëzon një shkallë të rëndësishme të pavarësisë në ushtrimin e fuqive të veta. Detyra e tij është të përkrahë interesin e përbashkët, gjë që nënkupton se nuk duhet të pranojë udhëzime nga asnjë qeveri kombëtare. Duke e pasur rolin e “Ruajtësit të Traktatit”, Komisioni duhet të garantojë se rregulloret dhe direktivat e miratuara nga Këshilli dhe Parlamenti janë duke u zbatuar në shtetet anëtare. Nëse nuk zbatohen, atëherë Komisioni mund ta nxjerrë palën shkelëse para Gjykatës së Drejtësisë, në mënyrë që ta obligojë të përputhet me Ligjin e BE-së.

Duke e pasur rolin e krahut ekzekutiv të BE-së, Komisioni zbaton vendimet e miratuara të Këshillit në fushat si: politika e përbashkët bujqësore, tregu i brendshëm, konkurrenca, energjia, transporti, zhvillimi rural, arsimi, shkenca, të drejtat e konsumatorit e të tjera. Komisioni ka fuqi të mëdha në menaxhimin e politikave të përbashkëta të BE-së, siç janë hulumtimi dhe teknologjia, ndihma ndërkombëtare dhe zhvillimi rajonal. Komisioni menaxhon edhe buxhetin për këto politika. Komisionerëve u ndihmon shërbimi civil, me seli kryesisht në Bruksel dhe në Luksemburg, i ndarë në 28 drejtori të përgjithshme. Ekzistojnë edhe disa agjenci të pavarura, të themeluara për zbatimin e detyrave specifike për Komisionin, të cilat janë të vendosura në qytete të tjera të Europës.
 

Këshilli i BE-së

Këshilli (i njohur edhe si Këshilli i Ministrave) përbëhet nga qeveritë kombëtare të anëtarëve të BE-së. Shtetet anëtare me ndërrime mbajnë Presidencën e Këshillit për një periudhë gjashtëmujore. Në çdo mbledhje të Këshillit merr pjesë një ministër nga çdo vend anëtar i BE-së. Se cilët ministra marrin pjesë në mbledhje, varet nga tema e parashikuar në agjendën e mbledhjes: punët e jashtme, bujqësia, industria, transporti, ambienti jetësor, etj.

Detyra kryesore e Këshillit është miratimi i ligjeve të BE-së. Zakonisht këtë përgjegjësi Këshilli e ndan me Parlamentin Europian. Këshilli dhe Parlamenti gjithashtu kanë përgjegjësi të barabartë lidhur me miratimin e buxhetit. Veç kësaj, Këshilli ka ekzluzivitetin që të nënshkruajë marrëveshje ndërkombëtare të cilat i ka negociuar Komisioni.

Sipas Traktatit të Lisbonës, Këshilli duhet të marrë vendimet e veta ose me votimin e shumicës së thjeshtë, votimit të “shumicës së kualifikuar” ose unanimisht, varësisht nga tema që duhet të vendoset. Këshilli duhet të arrijë marrëveshje unanime lidhur me çështjet e rëndësishme, siç janë: tatimet, politikat e azilit, ndryshimi i traktateve, përdorimi i politikës së re të përbashkët ose anëtarësimi i një vendi të ri në BE. Në shumicën e rasteve të tjera përdoret votimi i shumicës së kualifikuar. Kjo do të thotë se një vendim i Këshillit miratohet nëse në favor të këtij vendimi është votuar një numër i caktuar minimal i votave. Numri i votave të ndara për çdo vend të BE-së përafërsisht reflekton madhësinë e popullatës së tij. Deri më 1 nëntor 2014, nëse supozojmë se BE-ja ende do të ketë 28 shtete anëtare, një vendim miratohet: nëse së paku 255 nga gjithsej 347 vota (d.m.th. 73.91 %) janë në favor të vendimit; nëse vendimi miratohet nga shumica e shteteve anëtare, d.m.th. së paku 14; nëse këto shtete anëtare përfaqësojnë së paku 62 % të popullatës së BE-së. Prej 1 nëntorit 2014, sipas Traktatit të Lisbonës, ky sistem do të thjeshtësohet. Një vendim do të miratohet nëse 55 % e shteteve anëtare (d.m.th. së paku 15) votojnë në favor të vendimit dhe nëse këto vende përfaqësojnë së paku 65 % të popullatës së BE-së.
 

Këshilli Europian – Samiti i BE-së

Këshilli Europian është institucioni më i lartë politik i BE-së. Ky institucion përbëhet nga shefat e shteteve ose qeverive — presidentët dhe/ose kryeministrat — e të gjitha shteteve anëtare të BE-së, plus presidenti i Komisionit Europian dhe Presidenti i Bashkimit Europian. Këshilli zakonisht mban mbledhje katër herë në vit në Bruksel dhe me hyrje në fuqi të Traktatit të Lisbonës ka presidentin e vet – Herman van Rompuy. Detyra e tij është që të koordinojë punën e Këshillit Europian, si dhe të përgatisë e kryesojë takimet e Këshillit Europian. Presidenti  zgjidhet (me votim të shumicës së kualifikuar të anëtarëve të vet) për afat prej dy vjet e gjysmë dhe mund të rizgjidhet vetëm një herë. Këshilli Europian i cakton qëllimet politike të BE-së dhe përcakton kursin e arritjes së këtyre qëllimeve, por nuk ka kompetenca për të kaluar ligjet. Këshilli stimulon iniciativat e politikës kyç të BE-së dhe merr vendime lidhur me problemet e vështira, të cilat nuk kanë mundur të gjenin zgjidhje nga Këshilli i Ministrave. Këshilli Europian gjithashtu trajton edhe problemet aktuale ndërkombëtare përmes “politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë” — i cili paraqet një mekanizëm për koordinimin e politikave të jashtme të shteteve anëtare të BE-së.
 

Parlamenti Europian

Parlamenti Europian është institucioni që përfaqëson qytetarët e BE-së. Parlamenti  mbikëqyr aktivitetet e BE-së dhe së bashku me Këshillin aprovojnë legjislacionin e BE-së. Prej vitit 1979, deputetët e Parlamentit Europian zgjidhen drejtpërsëdrejti, me të drejtë vote universale. Zgjedhjet për Parlament mbahen çdo pesë vjet, zgjedhjet e ardhshme do të mbahen në verën e vitit 2014.

Parlamenti mban debatet e veta brenda komiteteve në Bruksel në të cilat, në parim, marrin pjesë të gjithë deputetët e Parlamentit Europian. Derisa seancat plenare çdo muaj zakonisht mbahen në Strasburg dhe zgjasin një javë, seancat plotësuese mbahen në Bruksel dhe zgjasin 1 ose 2 ditë. Puna përgatitore po ashtu bëhet në Bruksel.”Konferenca e Presidentëve”, d.m.th. kryesuesi i grupeve politike, së bashku me presidentin e Parlamentit përcaktojnën agjendën e seancave plenare, kurse 20 komitetet parlamentare hartojnë ndryshimet legjislative, të cilat duhet të diskutohen. Punën e përditshme të Parlamentit e bën sekretariati i përgjithshëm, me seli në Luksemburg dhe Bruksel. Çdo grup politik ka edhe sekretariatin e vet.

Parlamenti merr pjesë në punën legjislative të BE-së, në dy mënyra, me anë të “bashkëvendimit”, i cili paraqet procedurën e zakonshme legjislative. Parlamenti ka përgjegjësi të barabartë me Këshillin për nxjerrjen e ligjeve në të gjitha fushat politike që duhet të votohen me “shumicë të kualifikuar’ në Këshill. Nga hyrja në fuqi e Traktatit të Lisbonës, këto fusha përfshijnë rreth 95 % të legjislacionit të BE-së. Këshilli dhe Parlamenti mund të arrijnë marrëveshje menjëherë pas leximit të parë. Nëse nuk mund të pajtohen edhe pas leximit të dytë, propozimi i dërgohet një komiteti arbitrazhi. Mënyra e dytë, përmes procedurës së “pëlqimit”, Parlamenti duhet të ratifikojë marrëveshjet ndërkombëtare të BE-së (të cilat paraprakisht i ka negociuar Komisioni), duke përfshirë të  gjitha traktatet e reja që kanë të bëjnë me zgjerimin e Bashkimit Europian.

Parlamenti Europian gjithashtu ndan përgjegjësinë e barabartë me Këshillin, lidhur me miratimin e buxhetit të BE-së (të cilin e propozon Komisioni Europian). Parlamenti mund të refuzojë buxhetin e propozuar, gjë që e ka bërë në disa raste deri më tani. Kur ndodh kjo, e tërë procedura e buxhetit duhet të nisë nga fillimi. Duke përdorur fuqitë e veta buxhetore, Parlamenti ushtron ndikim të rëndësishëm në bërjen e politikës së BE-së.

E fundit madje është që Parlamenti Europian ushtron mbikëqyrje demokratike mbi Unionin, e veçanërisht mbi Komisionin Europian. Çdo pesë vjet, kur vjen koha e emërimit të Komisionit të ri, Parlamenti i zgjedhur europian mundet — me votimin e shumicës së thjeshtë — të miratojë ose refuzojë të nominuarit e Këshillit Europian për postin e presidentit të Komisionit. Është e qartë se ky votim do të reflektojë rezultatet e zgjedhjeve të fundit të Parlamentit Europian. Parlamenti gjithashtu interviston të gjithë kandidatët e propozuar të Komisionit para se të votojnë miratimin e Komisionit të ri në përgjithësi. Në çdo kohë Parlamenti mund të shkarkojë gjithë Komisionin duke miratuar një propozim kundërshtimi. Për këtë duhen dy të tretat e shumicës në Parlamentin Europian. Parlamenti gjithashtu mbikëqyr edhe menaxhimin e përditshëm të politikave të BE-së, me ç’rast Komisionit dhe Këshillit i dorëzohen pyetjet me gojë dhe me shkrim.
 

Gjykata Europiane e Drejtësisë

Gjykata Europiane e Drejtësisë , me seli në Luksemburg, përbëhet nga një gjykatës prej çdo shteti të BE-së dhe tetë anëtarë të përgjithshëm që kanë rolin e ndihmësve. Ata emërohen me marrëveshje të përbashkët të qeverive të shteteve anëtare, me mundësi të ripërtëritjes së mandatit gjashtëvjeçar. Paanshmëria e tyre është e garantuar. Roli i Gjykatës është të garantojë ekzistimin e përputhshmërisë me ligjet e BE-së, dhe interpretimin dhe zbatimin korrekt të traktateve. Gjykata e Drejtësisë garanton respektimin e plotë të së drejtës së Bashkimit Europian.
 

Banka Qendrore Europiane

Banka Qendrore Europiane, me seli në Frankfurt, përgjigjet për menaxhimin e euros dhe të politikës monetare të BE-së. Detyra kryesore e Bankës është që të ruajë stabilitetin e çmimeve dhe të politikës monetare në zonën e euros. Me Traktatin e Lisbonës, Banka Qendrore ka fituar statusin e institucionit të BE-së
 

Gjykata Europiane e Auditorëve

Gjykata Europiane e Auditorëve, me seli në Luksemburg, u themelua në vitin 1975. Kjo Gjykatë përbëhet nga një anëtar i secilit shtet të BE-së, të emëruar për mandat gjashtëvjeçar, me marrëveshje midis shteteve anëtare, pas konsultimit me Parlamentin Europian. Kjo Gjykatë kontrollon nëse janë pranuar të ardhurat e Bashkimit Europian, nëse të gjitha shpenzimet janë bërë në mënyrë të rregullt dhe ligjore dhe nëse buxheti i BE-së është menaxhuar me vend.
 

Komiteti për Çështje Ekonomike dhe Sociale

Kur merr vendime në disa fusha politike, Këshilli dhe Komisioni konsultohen me Komitetin Ekonomik dhe Social Europian (EESC). Anëtarët e tij përfaqësojnë grupet e ndryshme ekonomike dhe sociale, të cilat kolektivisht përbëjnë “shoqërinë e organizuar civile”, dhe emërohen nga Këshilli për mandat pesëvjeçar. Komiteti mund të lëshojë opinione edhe me iniciativë të vet.
 

Komiteti i Rajoneve

Komiteti i Rajoneve (CoR) përbëhet prej përfaqësuesve të qeverive rajonale dhe asaj lokale. Përfaqësuesit e këtij Komiteti i propozojnë shtetet anëtare dhe i emëron Këshilli, po ashtu me mandat pesëvjeçar. Këshilli dhe Komisioni duhet të konsultojnë Komitetin e Rajoneve lidhur me çështje relevante për rajonet europiane e sidomos për politikat e zhvillimit rural dhe rajonal. Gjithashtu edhe ky Komitet mund të lëshojë opinione me iniciativë të vet.
 

Banka Europiane për Investime

Banka Europiane për Investime (EIB), me seli në Luksemburg, ofron kredi dhe  ndihmon rajonet më pak të zhvilluara të BE-së. Gjithashtu Banka ndihmon bizneset që të jenë më të denja për konkurrencën në tregun e brendshëm të BE-së. 

Informatori Elektronik i KCSF-së

më shumë

Pyetjet më të shpeshta?

Nga cilat programe komunitare përfiton shoqëria civile në Kosovë?më shumë