LAJMI I FUNDIT: KCSF shpall Programin Ekzekutiv në Bashkëpunim me Kolegjin e... më shumë
Shoqëria civile

Parimet themelore

Rëndësia e pjesëmarrjes së qytetarëve në hartimin e politikave dhe ligjeve është pranuar në masë të gjerë. Organizatat më të mëdha ndërqeveritare kanë hartuar dokumente dhe kanë krijuar modele për përkrahjen dhe fuqzimin e pjesëmarrjes qytetare. Edhe pse disa nga këto dokumente nuk kanë karakter obligues, ato paraqesin standardet, parimet dhe praktikat më të mira, të cilat duhet të merren parasysh me rastin e nismave të ndryshme në nivel shtetëror.
 
Komisioni Europian në vitin 2001 ka hartuar Letrën e bardhë për qeverisjen europiane (European Governance – A White Paper), i cili, në mes të tjerash, ka pasur për qëllim fuqizimin e kulturës së konsultimit dhe të dialogut në nivel të BE-së, në mënyrë që të rrisë legjitimitetin e vendimeve. Në këtë dokument theksohen pesë parimet e “qeverisjes së mirë”: transparenca, pjesëmarrja, efektshmëria dhe koherenca, të cilat jo vetëm se mbështesin demokracinë dhe sundimin e ligjit në shtetet anëtare të BE-së, por ato vlejnë për të gjitha nivelet e qeverisë (globale, europian, shtetëror, rajonal dhe lokal). Një ndër rezultatet e Letrës së bardhë është miratimi nga Komisioni Europian i parimeve të përgjithshme dhe standardeve minimale për konsultimin e palëve të interesit. Ky dokument thekson rëndësinë e ofrimit të dokumenteve të qarta për konsultim, konsultimin e të gjitha grupeve të interesit, lejimin e kohës së mjaftueshme për pjesëmarrje, publikimin e rezultateve dhe informimin e pjesëmarrësve me rezultatet e komenteve të tyre.

Po ashtu, qasja pjesëmarrëse e hartimit të ligjeve dhe politikave në nivel të BE-së dhe në shtetet anëtare është e theksuar në Traktatin e Lisbonës, konkretisht në nenin 10: “Çdo qytetar ka të drejtë pjesëmarrjeje në jetën demokratike të BE-së; vendimet do të merren në mënyrë sa më transparente dhe sa më të afërt me qytetarin.”

Pjesëmarrjen qytetare në hartim të ligjeve dhe politikave e trajton edhe Këshilli i Europës përmes rekomandimeve: CM/Rec (2007) 14, CM/Rec (2010) 5, Rec (2001) 19. Më konkretisht, KE-ja rekomandon për të gjithë mekanizmat qeveritarë dhe agjencitë që duhet të sigurojnë pjesëmarrje të efektshme të OJQ-ve në të gjitha nivelet e hartimit të politikave publike, duke respektuar dhe vlerësuar shprehjen e lirë dhe llojshmërinë e mendimeve të qytetarëve. Theks i veçantë vihet në hartimin e politikave për mbrojetjen e të drejtave të njeriut, përkatësisht konsultimit të komuniteteve të margjinalizuara: homoseksualë, lezbikë, biseksualë dhe travestitë.

Dokumente të tjera të rëndësishme të cilat trajtojnë pjesëmarrjen qytetare janë: Konventa e Arhusit, e miratuar nga Komisioni Ekonomik për Europë i Kombeve të Bashkuara – e cila trajton të drejtën e qytetarëve për qasje në informata, të drejtën për pjesëmarrje në vendimmarrje dhe drejtësi lidhur me çështjet mjedisore; udhëzime, raporte dhe studime të ndryshe të hartuara nga Banka Botërore dhe Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim etj.

Informatori Elektronik i KCSF-së

më shumë

Pyetjet më të shpeshta?

Si mund të merret Statusi për Përfitim Publik në Kosovë?më shumë